top of page
Search

Kam mbet në mes

  • Writer: Alba Muceku
    Alba Muceku
  • Aug 14, 2024
  • 2 min read


Kam mbet në mes.

Në mes, një udhë e ngushtë, e pashtruar,

me guriçka, baltë dhe pellgje uji.

Unë qëndroj poshtë një peme.

Gjethet kanë rënë, trungu është tharë, 

Degët i zgjaten si duar që kërkojnë lirinë drejt qiellit,

qielli i bardhë e gri,

mjegulla ka mbuluar fushat me ngricë.

Nga dua të shkoj nuk e di.

Majtas. Djathtas.

Djathtas. Majtas.

Këtu. Atje.

Atje. Këtu.

Kam mbet në mes. 


Në njërën anë është shtëpia e parë,

shtëpia me kujtime, 

me aromë reçeli kumbullash, fiku, qershie.

Shtëpia ku flitet gjuha ime, 

ku jetojnë njerëzit e zemrës, gjakut e shpirtit,

ku s'niset dita pa një kafe,

ku s'i numëroja ditët me diell,

ku të gjitha ndjenjat janë të forta, të zjarrta,

zilia, zemërata, inati, malli, urrejtja,

dashuria e melankolia, 

nostalgjia për një të ardhme, për një "po sikur?". 


Nga ana tjetër është një shtëpi e re,

një shtëpi që e gjeta e vetë, e zgjodha vetë.

që po e krijoj vetë me tiparet që unë dua.

Një shtëpi që u bë e tillë se rashë në dashuri.

Është një shtëpi ku kam thurur ëndrra, 

për të patur një ditë diçka time, 

një shtëpi me oborr dhe një lisharëse,

Me mure të bardha dhe drita për të ndriçuar dimrin.

Me një tavolinë të gjatë për të shtruar darkat 

dhe qilar me verë për të ngrohur bisedat.

Një shtëpi me kafshë shtëpiake, 

një mackë a dy, një qenush lodrues,

Ku i dihet mbase një ditë më prishet mendja 

edhe për një fëmijë. 


Ku të shkoj?

Atje? Këtu?

Majtas? Djathtas?

Të kthehem? Të iki? 


Kur kthehem në shtëpinë e parë, 

S'jam krejt vetvetja, 

përveç lirisë me u shpreh në gjuhën time, 

nuk di liri tjetër.

Nuk ndihem sikur ka më vend për mu.

Njerëzit më thonë "Ik! Mos u kthe më!"

Më ngjan sikur s'më duan, po më përzënë!

Më thejnë zemrën me përbuzjen 

që kanë për shtëpinë tonë, Shqipërinë tonë.

Dhe kam mall për atë dikë atje, që i kam dhënë zemrën. 


Kur iki në shtëpinë e dytë, 

Malli më merr për gjithçka,

Për diellin, për kafenë, për qiellin blu,

Për aromën e salcës në shtëpi,

Për kafet në mëngjes me mamin, 

Për shëtitjet nëpër Tiranë me blertën,

Për parashikimin e motit të babit.

Malli më merr për gumëzhimën e Tiranës, 

rrugët e gjalla, plot drita vezulluese, 

kafenetë ku njerëzit e marrin shtruar, 

Një kafe mjafton ditën për ta shijuar.

Malli më merr me fol gjuhën e nënës,

Me mallku, me uru, me qa, me qesh

me e zbraz shpirtin në shqip. 


Kam mbet në mes.

Në shtëpinë e parë shoh se si lidhjet e vjetra

kanë ngel në të kaluarën,

Ato kalben çdo ditë e këputen nji nga nji.

Në shtëpinë e dytë s'e di ende 

nëse ka ndonjë lidhje, ndonjë miqësi.

Atje, me zor i shtyj ditët e vetmuara gri,

E pyes veten: "pse?!

Ç'qëllim ka me jetu një jetë të tillë,

në mërgim, larg njerëzve që të japin kuptim?!" 



Ja, mërgimi im, është këtu në mes.

S'jam as atje, as këtu,

Po jetoj në hapësirën midis, ndërmjet.

Më pyesin: "Ku është më mirë, këtu apo atje?"

Nga ta di unë,

kam mbet në mes.







 
 
 

Commenti


©2018 by Jotja Alba. Proudly created with Wix.com

bottom of page