Nëse gjendesh në shteg të humbur
- Alba Muceku
- Aug 14, 2024
- 2 min read

Ndonjëherë njerëzit që po kërkojmë janë aty para syve tanë dhe na shpëtojnë pa i vënë re. Ndonjëherë mundësitë, rruga e duhur janë poshtë hundës tonë dhe kalojnë pa u kuptuar.
Megjithatë, nuk është nevoja të shqetësohemi për këtë gjë. Nuk është nevoja të stresohemi e të fiksohemi me çdo njeri të mundshëm që kemi harruar, apo të analizojmë imtësisht çdo mundësi që kemi, çdo rrugë që mund të ndjekim.
Kush e përcakton "Të Duhurën"?! Nga çfarë përcaktohet "E Duhura"? Mbase "E Duhura" dhe "E Përsosura" nuk ekzistojnë aspak. Mbase "E Duhur" dhe "E Përsosur" është gjithë përpjekja jonë, mundimi, lodhja, puna, pasioni për të arritur te kjo "E Duhur", te kjo e "E Përsosur e pasosur".
Unë jam e mendimit se herët a vonë njerëzit kthehen te ne, ose ne shkojmë te ata, dhe se udhën tonë do ta gjejmë edhe nëse ndonjëherë humbasim në ndonjë shteg të panjohur. Mjafton veç dëshira. Meqë dolëm te shtigjet, më erdhi ndërmend ai shtegu i vogël që të çon për te shtëpia ime. Është një rrugicëzë gjithë gurë e gropa, që dimrit mbushet me pellgje gjigante uji. Mbaj mend që çdo mëngjes me shi, kapërceja pengesat e ujit duke u hedhur nga një gur në cep, te ndonjë tullë në cepin tjetër.
Shtegu është i errët natën, s'ka drita përreth përgjatë një rreze të madhe. Gjithashtu është burim i mirë për ndonjë histori të kobshme rrëmbimi e jo vetëm, e megjithatë, që aty yjet duken më së miri. Ma merr mendja së është nga ato pikat e rralla në Tiranë, që unë do t'i quaj "pika të verbëra", nga ku, pa drita përreth, mund të shohësh për mrekulli një qiell të mbushur plot e përplot me yje vezullues, "Të Përsosurën e pasosur".
Nuk dua t'ju bëj që të kërkoni këto pika të verbëra nëpër qytet për të parë yjet, besoj se është me rrezik, por këtu po ju lë një hapësirë për t'u menduar, për të reflektuar, për të bërë paralelizmin midis kërkimit të "Së Duhurës" dhe atij shtegu të shëmtuar e të frikshëm të fshehur me rrënojave.
Në shtigje të humbura e në errësirë, duken më mirë dritat e universit, duket DRITA.
Comentários