top of page
Search

Një pranverë tjetër

  • Writer: Alba Muceku
    Alba Muceku
  • Aug 14, 2024
  • 1 min read


E di, që s’janë punë të miat,

e s’duhet t’i fus hiç hundët, 

por më ha meraku më shumë se ç’duhet,

kështu që, kur të dalësh sot nga shtëpia,

mos ik më larg se gjer aty,

ku unë me kryet nxjerrë te parvazi i dritares,

të mund të të shoh e ta di që je mirë. 


Jo në çdo çast dhemb shpirti.

Dhemb, për shembull në orare të gjithëllojshëm e të lëvizshëm.

Dhemb, për shembull në një ditë pranverore,

kur ulur në verandë më zë syri

hijet mes këndeve të ndërtesave në pikun e zhegut,

ngjyrimin e faqeve të mureve nga rrezet e perëndimit,

kur flladi i ngrohtë mbushet me aromat e sythave të rinj

dhe çarçafëve të larë e të nderë në telat e dritareve. 


Duhet të ekzistojë një kohë, besoj. 

një ditë a një natë, jo nesër, as pasnesër,

mbase më vonë, në një pranverë tjetër,

kur të mos dhembë më. 

Mbase do të dhembë diçka tjetër,

Sigurisht, do të dhembë diçka tjetër,

por jo më për një pranverë të vjetër. 


 
 
 

Comments


©2018 by Jotja Alba. Proudly created with Wix.com

bottom of page