top of page
Search

Një stinë me vetëtima

  • Writer: Alba Muceku
    Alba Muceku
  • Aug 14, 2024
  • 2 min read



Dhe aty, mespërmes qiellit të pastër e të paqtë, ra një vetëtimë dhe i vuri flakën gjithçkaje.


S'do të ta shpjegoj kurrë me fjalë të thjeshta e të drejtpërdrejta- të paktën jo për ca kohë- se çfarë ndodhi në të vërtetë. Do të flas me metafora sepse kjo histori është e ndaluar, e papërshtatshme, e papërputhshme, prandaj mundohu të lexosh mes rreshtave dhe të përkthesh fjalët kyç. Tani për tani, kaq mjafton të dish.


Për të qenë sa më të saktë, qielli nuk ishte krejt i pastër, nuk vezullonte nga kaltërsia. Një shtresë resh, krejt gri ishin shtriqur si mbulojë cep më cep. Si një koloni bakteresh, retë ishin shtuar e njëtrajtëzuar dhe kishin infektuar qiejtë. Por përveç këtyre, ishte qetësi dhe heshtje. Asnjë zhurmë, asnjë pipëtimë, asnjë shenjë jete. Toka anembanë kishte një reflektim të kafenjtë të errët, që ishte ngërthyer me grinë; si përherë. Tek tuk mund të gurgullonte ndonjë burmi i varfër e i lodhur, a mbase ndonjë rrymë uji që si hileqare kishte gërryer rrugën deri lart në sipërfaqe. E tillë pra ishte gjendja në krye të kohës.


Pastaj, krejt papritur, shkrepëtiu. Dhe aty, mu në mes të vendit, ra një rrufe, që tundi tokën e qiellin dhe mbushi krejt hapësirën me dritë verbuese. U desh ca kohë që drita të tretej tutje, por pas saj, pas ardhjes së vetëtimës, pamë se asgjë nuk ishte më njësoj, SOT asgjë nuk është më njësoj.


Vendi kishte marrë flakë; zjarret kishin mbirë ngado dhe flakët e tyre të tërbuara turreshin me rrëmbim të gllabëronin qiellin. Oksigjeni i ajrit desh mbaroi. Prandaj edhe frymët këto kohë i kemi të numëruara, të dobëta e të brishta, thuajse nuk ekzistojnë fare. Po ushqehemi tani veç me tymin e flakëve. Vatra zjarresh ka ende ngado; dheu djeg e përcëllon sikur ta kenë lyer mirë e mirë me acid. Kurse ajri ende mban aromë përcëllimi, aromë lulesh, livandoje dhe jasemini të shkrumbuar. Duket tutje tymi që s'është tretur e shpërndarë akoma.


Ç'të presim pas kësaj gjëme? Çfarë fshihet atje tutje në horizont?!Mos po afron një kohë e gjatë thatësire apo rrufetë do të sjellin me vete një stinë të harbuar shirash; shira që po afrohen me rrëmbim nga thellësitë e Jugut?!!!!Ç'do të ndodhë tani?



 
 
 

Comments


©2018 by Jotja Alba. Proudly created with Wix.com

bottom of page