top of page
Search

Kjo histori nuk flet për një kokëkuqe

  • Writer: Alba Muceku
    Alba Muceku
  • Aug 14, 2024
  • 3 min read



Një vajzë me flokë të kuqe kaloi para meje, ndërkohë që unë lexoja "Unë jam e kuqja". Rastësi?! Them se po. Unë ende nuk e di se kush apo çfarë është 'e kuqja', prandaj nuk do e lidhja vajzën dhe librin në asnjë plan kuptimor; ENDE jo.


Në fakt, po bëja sikur po lexoja, pasi kisha thuajse 10 minuta që i mëshoja me sy të njëjtit rresht. Sikur vështrimi im të ishte prej karboni, do kishte nxirë faqen dhe gjithë të tjerat të cilat kinse i kisha lexuar dhe kuptuar. Vajza me flokë të kuqe shkoi dhe u ul dy ose tre tavolina larg, në të majtën time. Unë rrija vetëm, ajo po ashtu. Ajo me siguri priste miqtë e saj, unë s'prisja askënd. (#përherëtëparë) Ishin kohët e Vetmisë së Madhe...


Nuk e di se ku dua të dal me gjithë këtë, por po vazhdoj të shkruaj. Po shkruaj në  ajër, pa një drejtim, pa një qëllim, vetëm sa për të mbushur rreshtat.Vazhdoj të mos e di se pse e nisa kështu, sepse nuk e njoh vajzën me flokë të kuqe, nuk e di se çfarë fshihet pas të kuqërremtës, pas fjalëve e ideve plot vendosmëri, pas sjelljes që shpesh mbart grimca arrogance. Ajo është tani nëpër këto rreshta vetëm prej flokëve. Pyes veten, ç'do isha duke bërë tani nëse ajo do kishte vendosur të mos i ngjyente flokët në të kuqe...


Dhe tani nuk e di se kë të shqyrtoj më parë, faktin që jemi kaq të pavendosur dhe të mjegullt në lidhje me ç'ka bëjmë dhe ç'ka duam, apo të flas për teorinë time më të fundit; se si zgjedhjet dhe veprimet që bëjmë, edhe ato më të voglat ndikojnë rrjedhën dhe mendimet e shumë njerëzve, madje edhe në periudha të zgjatura kohore. Ose, siç bëj shpesh do i lë këto gjëra të ndërlikuara e të gjata për një herë tjetër. Sot po vazhdoj të flas pa kuptim, se tek e fundit edhe jeta e bota jonë po e tillë është, dhe po vazhdoj të mendoj për ngjyrën e kuqe.


Nuk e di tani se ku e kam lënë atë librin, nuk e di as sa faqe kam lexuar, me siguri s'i kam mbushur 100. Nuk e di as se sa e frikshme do të dukem për vajzën me flokë të kuqe, kur këto rreshta të mbërrijnë tek ajo. Mbase kjo histori mbart nuanca psikopatie, por s'është ajo shkaku i fiksimit tim me të kuqen.


Kur isha e vogël doja një makinë të kuqe të shndritshme. Më vonë, u dashurova me një djalë që i shkonte tmerrësisht ngjyra e kuqe. I vura edhe një libri statusin "libri i preferuar", pjesërisht sepse në kopertinë vizatoheshin kaçurrelat e një kokëkuqeje. Më pas, jo shumë larg nga këto ditë që po flasim, doja t'i ngjyeja edhe flokët e mi në të kuqe. 


Por në fund asgjë nga këto nuk mori jetë. Tani ngas një vejushë të zezë, dhe u bënë vite që se kam parë më atë djalosh, dhe flokët e mi s’e kanë pranuar ende një sasi të tepërt hekuri. Për të fshehur gjithë këto pamundësi, u shtira njëfarë kohë se doja blu-në, i llangosa edhe flokët e mi në të, por siç duket nuk shpëtova dot nga e kuqja, a më saktë- nga iluzioni i të kuqes. Mbase ka mbetur si diçka e pakonsumuar ende, e papërjetur, e dëshiruar gjithmonë por që kurrë s'i kaloi kufijtë e imagjinatës dhe botës së dëshirave.


E tani, po kuptoj se e kërkoj të kuqen gjithandej, nëpër flokë, nëpër buzë; në rroba, në mendime; në zemra, aty ku e ruaj edhe vetë me shumë kujdes; VEÇ JO në trëndafila. Po ndërgjegjësohem më në fund për rëndësinë e saj në jetën time.


Në mos qoftë për shkak të gjithçkaje që e kuqja përfaqëson, po shkruaj për të sepse tingëllon bukur kështu, sepse në këto çaste, sa herë lexon fjalën “e kuqe”, mendja dhe sytë e saj zhyten në gjithë romanet, gjithë këngët, gjithë veprat e artit, gjithë historitë, qofshin ato dashurie apo revolucioni, gjithë botët, gjithë dëshirat dhe nevojat e shpirtit…

GJITHÇKA që bashkon kjo fjalë. 

Red 

Rouge

Rosso

Rot

Kırmızı

To kókkino

Rojo

E kuqe. 


Si përfundim, ku e lashë atë librin?!



 
 
 

Comments


©2018 by Jotja Alba. Proudly created with Wix.com

bottom of page